Java XV: Llapi – Drita 1-0

Goli i Alidemës vendimtar për fitoren e madhe të shënuar sot ndaj Dritës

Podujevë, 10 nëntor 2018 – Në praninë e 1500 shikuesve, Llapi ka arritur fitore të rëndësishme ndaj Dritës me golin e Alidemës, të tetin sezonal e që kishte vlerën e tre pikëve të radhës dhe të dytën radhazi me rezultatin e njëjtë, 1-0. Fitoren e merituar të Llapit, nuk e rrezikoi Drita e cila konsiderohej një rival mjaft i vështirë për ta mposhtur, por me këtë fitore iu treguam se fitorja në ndeshjen e parë të këtij sezoni nuk ishte e rastësishme, por e merituar.

Tashmë skuadra iu afrohet skuadrave të kreut ku pozicionohet e treta me 29 pikë.

Java XV

Llapi – Drita 1-0

Golashenues: Festim Alidema 45′

Stadiumi: “Zahir Pajaziti”

Shikues: 1500

Gjyqtarë: Selim Isufi, Driton Preniqi, Gzim Mehmeti, Ilir Mehmeti

Llapi: 13. Afrim Ademi – 4. Bujar Idrizi, 14. Egzon Sinani, 5. Dardan Jashari, 18. Ilir Blakçori – 16. Hamdi Namani/C/(6. Kushtrim Shabani – 90′), 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella – 97. Festim Alidema, 8. Benjamin Emini(23. Ardian Hoti – 86′), 11. Fiton Hajdari(17. Arbnor Ramadani – 72′). Kryetrajner: Bekim Shotani

Drita: 31. Edvan Bakaj – 5. Ardian Limani /C/, 29. Ervis Kaja, 4. Fidan Gërbeshi, 13. Liridon Leci – 14. Filonit Shaqiri, 25. Bujar Shabani, 20. Erjon Vucaj – 11. Përparim Livoreka, 7. Endrit Krasniqi, 27. Eri Lamcja. Kryetrajner: Shpëtim Duro

Komenti:

Llapi ka shënuar fitore minimale 1-0 përballë Dritës në derbin e javës së 15-të. Llapi e nisi më mirë ndeshjen dhe vetëm pas dy minutash ka mundur të kalojë në epërsi. Harkimin e Bujar Idrizit për pak se nuk e dërgoi në portën e skuadrës së tij Ardian Limani.

Në minutën e 38-të, llapjanët rrezikuan me Fiton Hajdarin por që goditja e tij nga distanca u prit mirë nga Edvan Bakaj. Rastin e parë për Dritën e pati Endrit Krasniqi por që goditja e tij u mbrojt nga Ademi i vendasve.

Në minutën e 44-të, Festim Alidema kaloi Llapin në epërsi duke shënuar brenda zonës për 1-0. Për Alidemën ky ishte goli i tetë në këtë kampionat me fanellën bardh e kaltër.

Drita e nisi duke sulmuar pjesën e dytë ku pati dy raste shënimi me Krasniqin dhe Kukën por që nuk gjetën cakun.

Dy minuta më vonë, Fiton Hajdari i vendasve u gjend në mundësi të mirë shënimi por që nuk gjuajti si duhet. Deri në fund të ndeshjes, nuk pati ndonjë rast për tu veçuar dhe Llapi arkëtoi tri pikë me meritë.

Pas kësaj fitore, Llapi vazhdon të mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 29 pikë të tubuara, duke lënë Dritën një pozitë më poshtë me 22 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Llapi luan në udhëtim te Flamurtari

Deklaruan:

Bekim Shotani, kryetrajner i Llapit: “E kemi ditur që do kemi një ndeshje të vështirë, pasi që luajtëm përballë kampionit në fuqi, një skuadre që ka në organikën e vet një grup mjaft të mirë të lojtarëve. Por, ne kishim marrë gjitha masat e duhura, duke neutralizuar pikat ku kundërshtari ynë është më i fortë. Nuk lejuam që të na ndodh si në ndeshjen e kaluar ndaj Ballkanit kur sulmuam vazhdimisht dhe pranuam një gol në kundërzbritje. Djemtë e dhanë provimin përballë Dritës, do të mundohemi të qëndrojmë në mesin e skuadrave pretendente për titullin kampion. Kemi mungesa të rëndësishme në përbërje si ajo e sulmuesit Ahmed Januzi, ndaj edhe po mundohemi të improvizojmë në formacionin e lojës. Por, pavarësisht gjitha peripecive ne do të vazhdojmë luftën dhe nuk do të lëshojmë pe në asnjë ndeshje”, deklaroi Shotani.

Shpëtim Duro, kryetrajner i Dritës: “Këto ndeshje i vendosin episodat dhe ashtu ndodhi dhe sot. Ne kishim mundësitë tona përpara se të realizonim golin, por më pas gjithçka u bë më e vështirë, sidomos në pjesën e dytë kur nuk pati fare lojë efektive. Më vjen keq që po e them këtë por skuadra e Llapit e ka zhagitur shumë ndeshjen. Çdo veprim i futbollistëve të Llapit përcillej me një vonesë disa minutëshe dhe futjen e mjekut në fushë. Kjo me të vërtetë i humbet bukurinë futbollit. Ne po vuajmë mungesat e disa prej futbollsitëve kryesorë si Xhevdet Shabani, Haxhi Neziraj dhe Betim Haxhimusa, i cili është një futbollist krucial për ne, pasi që po realizonte dhe po na sjellte fitoret rradhazi. Megjithatë ne u munduam të mbulojmë këto mungesa dhe kisha besim se sot mund të ktheheshim me një rezultat pozitiv, por po e them edhe njëherë që mënyra e lojës së kundërshtarit na ka vështirësuar punët tej mase”, deklaroi Duro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *