Java XIV: Ferizaj – Llapi 0-1

Golin e vetëm që pati vlerën e tre pikëve e realizoi Shend Kelmendi në minutën e 82-të

Ferizaj, 4 nëntor 2018 – Edhe pse me dominim total të ndeshjes, me raste të pastërta shënimi të humbura e me lojën më të mirë nga Llapi, fitoren e siguroi goli i Shend Kelmendit në minutën e 82-të. Megjithatë, Llapi ka mundur ta kryej punën që në pjesën e parë e mos të mendoj pastaj tërë pjesën e dytë për golin e epërsisë dhe arritjen e fitores, por siç duket sot nuk ishte dita e sulmuesve që të ishin më të saktë pranë portës siç bëri Kelmendi vetëm 2 minuta pasi u inkuadua në lojë.

Sidoqoftë, Llapi arriti fitore të merituar dhe të vlefshme duke llogaritur mungesat e rëndësishme të Januzit, Begollit e Haxhos (të lënduar), Maliqit, Namanit e Blakçorit (të suspenduar) para duelit derbi që e zhvillon në fundëjavë ndaj Dritës në Podujevë.

Java XIV

Ferizaj – Llapi 0-1

Golashenues: Shend Kelmendi 82′

Stadiumi me bari sintetik, Ferizaj

Shikues: rreth 500

Gjyqtarë: Gramos Shala, Meriton Berisha, Safet Berisha, Mervan Bejtullahu

Ferizaj: 12. Armend Blakçori – 8. Ervin Kaqar, 77. Arber Mone, 4. Adnan Haxhaj, 18. Albert Kaqiku – 88. Bunjamin Asani, 3. Kristi Marku, 21. Dren Gashi – 7. Florim Berbatovci, 11. Genc Hamiti, 6. Granit Jashari. Kryetrajner: Afrim Tovërlani

Llapi: 13. Afrim Ademi – 4. Bujar Idrizi, 5. Dardan Jashari, 14. Egzon Sinani, 8. Benjamin Emini – 6. Kushtrim Shabani, 7. Mentor Zhdrella /C/, 17. Arbnor Ramadani – 97. Festim Alidema(23. Ardian Hoti 84′), 11. Fiton Hajdari(10. Edon Zeqiri – 75′), 95. Alban Rexhepi(22. Shend Kelmendi – 80′). Kryetrajner: Bekim Shotani

Komenti:

Llapi ka fituar me vështirësi dhe rezultat minimal 1-0 në udhëtimin e tyre te Ferizaj në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të në Ipko Superligën e Kosovës. Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të mysafirëve nga Podujeva, të cilët krijuan shumë raste. Rasti i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm dy minutave lojë, ku Alban Rexhepi vodhi një top në mesin e fushës, por pas depërtimit të mirë goditja e tij përfundoi jashtë. Llapi provoi edhe me Festim Alidemën (25′), Rexhepin (33′) dhe Mentor Zhdrellën (38′), por përsëri ishin të pafat dhe shkuan në pushim me shifra të pandryshuara.

Edhe pjesa e dytë foli në të mirë të Llapit, të cilët vazhduan sulmet dhe rastet në drejtim të Ferizajt, teksa gjetën edhe golin. Alidema (47′) rrezikoi i pari, por goditja e tij u prit nga portieri Armend Blakqori, teksa Ferizaj tentoi me Dren Gashin (55′), por edhe goditja e tij u prit nga Afrim Ademi. Goli i vetëm në këtë ndeshje erdhi në minutën e 82-të të ndeshjes, ku zëvendësuesi Shend Kelmendi u gjend mirë në zonë dhe realizoi me lehtësi për 0-1 duke vulosur fitoren shumë të madhe të Llapi.

Pas kësaj fitore, Llapi ka 26 pikë në vendin e tretë apo gjashtë më pak se lideri Feronikeli, ndërsa Ferizaj mbetet në pozitën e parafundit me 11 pikë.

Kronika:

2′ Alban Rexhepi rrëmben një top në mesin e fushës dhe depërton bukur brenda zonë, por gjuajtja e tij zhagas përfundoi pranë portës.

25′ Festim Alidema gjuan për mrekulli, por shtylla e shpëton ‘gardianin’ Armend Blakçori.

33′ Alban Rexhepi i vetëm me ‘gardianin’ Armend Blakçori gjuan pranë pingules.

38′ Mentor Zhdrella provon goditjen nga ndërprerja, por mbi portë.

47′ Festim Alidema gjuan me të majtën afër zonës, por pret ‘gardiani’ Armend Blakçori.

55′ Dren Gashi  gjuan nga distanca, por pret ‘gardiani’ Afrim Ademi.

82′ Shend Kelmendi pas dy minutave që inkuadrohet në lojë merr një top të bukur nga Alidema e gjendet mirë i vendosur brenda zonës dhe realizon për ta kaluar Llapin në epërsi, 0-1.

Deklaruan:

Bekim Shotani, kryetrajner i Llapit: “E kemi ditur se do të jetë ndeshje e vështirë për ne, sepse Ferizaj ka treguar lojëra të mira në javët e kaluara. Ne duhet të mobilizohemi më shumë, sidomos para portës rivale, të shënojmë më tepër, sepse mund të ndëshkohemi. Për ne, çdo rezultat tjetër veç fitores do të ishte i pafavorshëm. Nga 24 futbollistë që i kemi, 14 janë me lëndime, disa edhe serioze. Megjithatë, në tri ndeshjet e fundit e kemi orarin më të mirë se skuadrat e kreut të renditjes dhe besoj se mund të përfitojmë nga ky fakt”, deklaroi Shotani pas ndeshjes.

Afrim Toverlani, kryetrajner i Ferizajt: “Dihet çfarë kapaciteti ka Llapi, skuadër që në tre vjetët e fundit ka pasur ambicie serioze. Realisht, ky është kaçiku ynë edhe pse golin e pësuam nga një pakujdesi, ndërsa në fund e patëm mundësinë të barazojmë, megjithëse sot nuk krijuam shumë raste. Na duhet të luftojmë dhe të marrim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura të stinorit vjeshtor, e pastaj të ulemi dhe të bisedojmë e të shohim çfarë mund të bëjmë, sepse me këtë potencial të lojtarëve që i kemi do të jetë vështirë”,ka shtuar Tovërlani.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *