Java XI: Trepça ’89 – Llapi 1-1

Me gjithë lojën e mirë nga të dy skuadrat, ndeshja përfundoi me barazim
Mitrovicë, 21 tetor 2018 – Trepça ’89 dhe Llapi kanë ndarë pikët në ndeshjen e zhvilluar sot në “Riza Lushta” në praninë e 500 shikuesve. Ndeshja ishte tejet interesante nga të dy skuadrat, kurse shikuesit e pranishëm panë gola, e kartonë por jo edhe fituesin e takimit. Të parët kaluan në epërsi vendasit me golin e Gucev në minutën e 16-të, kurse Llapi me super-golin e Festim Alidemës barazoi shifrat në minutën e 26-të.

Të dy skuadrat luajtën me nga një lojtar më pak. Së pari Genc Nuza përjashtoi Mentor Zhdrellën e Llapit me të kuq pas dy të verdhëve(njërin për fillim të lojës pa dhënë shenjë gjyqtari) kurse të dytin me pretekstin e simulimit. Gucev u ndëshkua pas një ndërhyrje të rrezikshme në Alidemën.

Me golin e shënuar sot, Festim Alidema renditet i dyti në listën e golashenuesve më të mirë pas 11 javëve në Superligë me 7 gola, një më pak se Alban Shillova i Flamurtarit.

Java XI

Trepça ’89 – Llapi 1-1

Golashenues: Blagojev Gucev 16′ – Festim Alidema 26′

Stadiumi: “Riza Lushta”, Mitrovicë

Shikues: rreth 500

Gjyqtarë: Genc Nuza(Pr), Fatlum Berisha(FK), Bujar Selimaj(Pz), Ilir Mehmeti(Obi)

Trepça ’89: 1. Arben Beqiri – 6. Mariglen Shosha, 22. Ergis Mersini, 5. Elton Basriu, 21. Arber Pira, 14. Ardian Muja, 6. Mariglen Shosha, 15. Muharrem Jashari, 10. Ylber Maloku/c/, 9. Arb Manaj, 16. Blagojev Gucev, 19. Martin Mircevski. Kryetrajner: Gugash Magani

Llapi: 13. Afrim Ademi – 8. Benjamin Emini, 5. Dardan Jashari, 14. Egzon Sinani, 18. Ilir Blakçori – 16. Hamdi Namani/c/, 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella, 11. Fiton Hajdari(10. Edon Zeqiri), 97. Festim Alidema(19. Gentrit Begolli) – 95. Alban Rexhepi(6. Kushtrim Shabani). Kryetrajner: Bekim Shotani

Komenti:

Sot u pa lojë interesante nga të dy skuadrat të cilat përveç dy golave shpërdoruan edhe raste tjera shënimi. Gucev i dha epërsinë vendasve pas një hutie në mbrojtjen e Llapit, kurse shifrat i barazoi Festim Alidema me gjuajtje nga largësia, në këndin e djathtë të Beqirit.

Pjesa e parë u mbyll me dy raste për të dy skuadrat si dhe me dy kartonë të kuq.

Pjesa e dytë ishte shumë interesante. Vendasit filluan të kërkonin golin e epërsisë, kurse edhe Llapi nuk po dorëzohej. Arb Manaj pati dy raste të mira shënimi për 89-shin, por priti Ademi. Rast për Llapin pati Hamdi Namani i cili pasi u lirua bukur nga mbrojtësit, gjuajti në duart e Beqirit. Më pas Rusi goditi traversën, kurse edhe Jashari nga afërsia gjuajti jashtë.

Javën e ardhshme, Llapi luan përsëri si mysafir, kësaj here ndaj Drenicës.

Kronika

16′ Goool. Gucev (T’89) shmanget bukur nga krahu i djathtë dhe gjuan me mjeshtëri për të realizuar në portën e Afrim Ademit, 1-0.

25′ Festim Alidema (Llap) gjuan goditjen nga distanca, por pret Arben Beqiri.

26′ Goool. Festim Alidema (Llap) ‘shkarkon’ të djathtën nga largësia dhe realizon një super gol, 1-1.

35′ KARTON I KUQ! Mentor Zhdrella merr kartonin e dytë të verdhë, kësaj radhe për shkak të simulimit dhe përjashtohet nga loja nga gjyqtari kryesor Genc Nuza.

40′ Ardian Muja (T’89) gjuan afër zonës, por pret me sukses Afrim Ademi.

45+1′ KARTON I KUQ! Gucev përjashtohet nga loja pas një starti të ashpër në Festim Alidemën. Tani dy ekipet janë me nga 10 futbollistë në fushën e lojës.

54′ Arb Manaj (T’89) gjuan nga largësia, por vetëm në duart e Afrim Ademit.

63′ Arb Manaj (T’89) gjendet bukur brenda zonës dhe gjuan për mrekulli, por pranë pingules.

70′ Hamdi Namani (Llap) shmanget bukur nga ana e djathtë dhe gjuan për mrekulli, por pret Arben Beqiri.

73′ Gëzim Rusi (T’89) gjuan me kokë dhe godet traversën pas harkimit të bukur të Hasan Hysenit.

90+3′ Muharrem Jashari (T’89) shpërdoron një rast të mirë për të shënuar, derisa asistimin e Gëzim Rusit e përfundon vetëm pranë pingules.

Deklaruan:

Gugash Magani, kryetrajner i Trepçës ’89: “Futbolli është i paparashikueshëm. Ne kemi mundur të shënojmë më herët, por edhe në fund me Jasharin. Kemi humbur dy pikë të vlefshme në një ndeshje që për mua ishte më e mira deri më tash. Nëse do të kishim fituar sot, do të ishim bindshëm në objektivat e kampionatit, por ne nuk do të dorëzohemi. Sot fati nuk ishte me ne”, deklaroi pas ndeshjes Magani.

Bekim Shotani, kryetrajner i Llapit: “Duke e pasur parasysh lojën sesi rrjedhi dhe mungesat e shumë lojtarëve, ne ia dolëm të kthehemi me rezultat pozitiv. Jam i kënaqur me barazim. Pavarësisht dominimit të Trepçës ’89 në pjesën e dytë, edhe ne kishim momentet tona dhe kjo është meritë e djemve të cilët i falënderoj për angazhim dhe disiplinë. Kemi punuar për fitore, për kundrsulme, për gjuajtje të lira, për korne e gjithçka tjetër. Mirëpo, pas përjashtimit të Zhdrellës u desh të ndryshojmë mënyrën taktike të lojës”, përfundoi Shotani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *