Java X: Llapi – Gjilani 3-1

Llapi është kthyer tek fitorja, Alidema, Sinani e Zeqiri shënuan për tre pikë

Podujevë, 17 tetor 2018 – Llapi ka arritur tre pikë të rëndësishme, duke mposhtur Gjilanin si vendas me rezultat 3-1. Ndeshja ishte jashtëzakonisht interesante për publikun e pranishëm ku në pjesën e parë arritën të shohin golin e epërsisë nga Festim Alidema, një gol të anuluar të Fiton Hajdarit, si dhe një penalti të pritur nga portieri Afrim Ademi. Kurse pjesën e dytë, Llapi tundi edhe dy herë rrjetën mysafire, së pari Egzon Sinani me kokë kurse për fitoren e Llapit shënoi i inkuadruari në pjesën e dytë, Edon Zeqiri. Për mysafirët golin e nderit e realizoi Endrien Magani.

Përderisa Festim Alidema me golin e shënuar sot ka gjithsejt 6 gola, Egzon Sinani dhe Edon Zeqiri kanë nga 1 gol, kurse kapiteni Hamdi Namani me dy asiste ka në total 4 asistime, kurse Zhdrella 6 sosh.

Në fundjavë mbyllet cikli i parë prej 11 xhirosh ku skuadra udhëton në Mitrovicë për t’u përballur me Trepçën ’89.

Java X:

Llapi – Gjilani 3-1

Golashenues: Festim Alidema 6′, Egzon Sinani 56′, Edon Zeqiri 66′ – Endrien Magani 76′

KV: Afrim Ademi, Hamdi Namani (Llapi)

Stadiumi: “Zahir Pajaziti”

Shikues: 2000

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Granit Hyseni, Imran Kabashi, Alban Shala

Llapi: 13. Afrim Ademi – 18. Ilir Blakçori, 14. Egzon Sinani, 5. Dardan Jashari, 8. Benjamin Emini – 16. Hamdi Namani /C/(17. Arbnor Ramadani – 78′), 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella, 97. Festim Alidema, 11. Fiton Hajdari(19. Gentrit Begolli – 70′), 95. Alban Rexhepi(10. Edon Zeqiri – 56′). Kryetrajner: Fadil Ademi

Gjilani: 1. Donat Kaçiu – 33. Fisnik Papuçi, 25. Mauricio Jose, 3. Armend Halili, 6. Endrien Magani – 10. Ledion Muçaj, 22. Jefferson Lopez, 7. Ansi Nika, 19. Trevin Caesar, 27. Vilfor Hysa, 8. Salih Kosumi. Kryetrajner: Sadat Pajaziti

Komenti:

Pas dy humbjeve radhazi, Llapi është kthyer tek fitorja pasi ka mposhtur si vendas Gjilanin me rezultat 3-1. Serinë e golave e hapi Festim Alidema në minutën e 6-të ku shënoi pas asistimit të Namanit. Llapi edhe më pas pati raste për të dyfishuar epërsinë, por Zhdrella nuk i shfrytëzoi dy rastet që kishte, kurse edhe gjuajtjen e Namanit e priti Kaçiu. Llapi në këtë pjesë lojë shënoi edhe një gol përmes Hajdarit por goli u anulua me pretekstin e pozitës jashtë loje. Gjilani pati mundësinë të barazonte rezultatin përmes penaltisë, por Ademi priti gjuajtjen e Nikës.

Në pjesën e dytë, Llapi kënaqi me lojë si dhe me gola. Golin e dytë dhe të qetësisë e shënoi me kokë Egzon Sinani në minutën e 56-të, pas harkimit të Mentor Zhdrellës, kurse golin e tretë e të fitores e shënoi Edon Zeqiri pas asistimit të Namanit në minutën e 66-të. Mysafirët realizuan golin e nderit përmes Maganit në minutën e 76-të, kurse më pas qëlluan edhe traversën, por shifrat më nuk ndryshuan.

Kronika:

6′ Goool. Festim Alidema gjuan bukur me të majtën pasi u shërbye nga Hamdi Namani dhe realizon për 1-0

12′ Trevin Caesar gjuan me kokë pas harkimit të Ansi Nikës, por topi shkon mbi traversë.

16′ Mentor Zhdrella tenton goditjen jashtë zonës, por topi shkon mbi traversë.

27′ Mentor Zhdrella gjuan me kokë nga afërsia pas harkimit të Fiton Hajdarit, por fare pranë portës.

30′ Mentor Zhdrella ‘shkarkon’ të djathtën nga ndërprerja, por Donat Kaçiu është me fat pasi topi përfundon pranë portës.

40′ PENALTI! Ansi Nika dështon për të shënuar për Gjilanin nga penaltia, mbron ‘gardiani’ Afrim Ademi.

43′ Hamdi Namani gjuan pasi u shërbey bukur nga Festim Alidema, por pret ‘gardiani’ Donat Kaçiu.

44′ Trevin Caesar gjuan i vetëm me ‘gardianin’ Afrim Ademi, i cili sërish e shpëton portën e tij.

54′ Alban Rexhepi gjuan me kokë, por traversa e shpëton Donat Kaçiun.

56′ Goool. Egzon Sinani gjuan me kokë pas harkimit të Mentor Zhdrellës dhe qëllon portën për 2-0.

60′ Fisnik Papuqi gjuan me kokë, por traversa e shpëton Afrim Ademin.

67′ Goool. Edon Zeqiri gjuan me të parën pas asistimit të Hamdi Namanit dhe realizon gol të bukur për 3-0.

76′ Goool. Endrien Magani realizon pasi u shërbye bukur nga krahu i djathtë, 3-1.

87′ Arbnor Ramadani gjuan bukur me të majtën, por pranë portës.

Deklaruan:

Fadil Ademi, ushtrues detyre i kryetrajnerit të Llapit: “Ndjehem i privilegjuar që kam qenë asistent i profesor Bylbyl Sokolit. Ai e ka lënë ekipin të përgatitur mirë teknikisht dhe fizikisht dhe ne vetëm po e vazhdojmë punën. Ne jemi munduar që ta fitojmë ndeshjen dhe jo të luajmë lojë të bukur për sy duke pasur parasysh edhe mungesat që i kishim. Gjilani luan shumë më mirë si mysafir dhe faktikisht kemi hyrë për rezultat dhe jo lojë dhe ia dolëm. I falënderoj lojtarët për angazhimin dhe disiplinën”

Sadat Pajaziti, kryetrajner i Gjilanit: “Nuk kemi ekip dhe lojtarë që kanë luajtur më gjatë së bashku dhe kjo po ndikon që të mos funksionoi vendosja taktike. Megjithatë, ishte momenti kur patëm penalltinë si mundësi për të barazuar, por nuk ia dolëm. Gjithsesi, sot kemi luajtur më së miri deri më tash në momente të caktuara. Futbollistët që i kemi tani nuk e ndjejnë njëri-tjetrin, kemi zbrazëtira. Kemi lojtarë cilësorë dhe këtë duhet pranuar, por jo që të gjithë të jenë në ekip, pasi kanë karakteristika të njëjta. Në përgjithësi ndeshja e sotme më jep shpresa së mund të bëjmë më mirë”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *