Java IV: Drita – Llapi 1-2

Dy gola në të dy pjesët, Llapi arrin fitore të madhe ndaj Dritës në Gjilan
Gjilan, 12 shtator 2018 – Me golat e Fiton Hajdarit min 11 dhe të Festim Alidemës min 73, skuadra e Llapit ka arritur fitoren e tretë rresht në 4 javë në udhëtim tek Drita. Fitorja edhe pse erdhi në 20 minutat e fundit, ishte mëse e merituar. Futbollistët e Llapit patën raste tjera që të kryenin ndeshjen edhe më herët, por siç duket sot ishin të matur dhe fituan ndeshjen minimalisht 1-2.

Sidoqoftë me këto tre pikë, skuadra renditet e dyta në tabelë me 9 pikë, 3 më pak se lideri Flamurtari me të cilën takohemi në javën e 5-të, të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti”.
Java IV:

Drita – Llapi 1-2

Golashenues: Bujar Shabani 38′ – Fiton Hajdari 11 & Festim Alidema 73′

Stadiumi i qytetit, Gjilan

Gjyqtarë: Selim Isufi, Benon Këpuska, Elvis Bicaj, Dardan Çaka

Drita: 31. Edvan Bakaj, 62. Viktor Kuka, 5. Ardian Limani, 4. Fidan Gërbeshi, 13. Liridon Leci – 25. Bujar Shabani, 20. Erjon Vucaj, 7. Endrit Krasniqi – 10. Xhevdet Shabani, 93. Haxhi Neziraj, 27. Eri Lamçja. Kryetrajner: Bekim Isufi

Llapi: 12. Eglant Haxho, 4. Bujar Idrizi, 5. Dardan Jashari, 14. Egzon Sinani, 8. Benjamin Emini(18. Ilir Blakçori – 46′) – 20. Behar Maliqi, 16. Hamdi Namani(6. Kushtrim Shabani 90+5) /C/, 17. Arbnor Ramadani – 22. Shend Kelmendi, 19. Gentrit Begolli(97. Festim Alidema 60′), 11. Fiton Hajdari. Kryetrajner: Bylbyl Sokoli
Komenti:

Drita me posedim më të madh të topit e nisi ndeshjen, por pas pasimit të Jasharit tek Ramadani i cili vazhdoi për Kelmendin, e ky i fundit asistoi për Hajdarin i cili gjuajti jo edhe aq fortë sa preciz, Llapi kaloi në epërsi (0-1 – min 11). Drita edhe më tutje më kërkuese, sa që pas një hutie në mbrojtje Llapi pësoi golin e barazimit të cilin e realizoi Bujar Shabani në minutën e 38-të. Më pas dominim i Dritës dhe rast i Xhevdet Shabanit por portieri Haxho e devijoi goditjen e tij të fortë dhe me këto shifra u mbyllën 45 minutat e parë të ndeshjes.

Edhe pjesën e dytë, vendasit ishin më kërkues por llapjanët me mençuri pritën momentin për t’i ‘dënuar’ ata. Pas rasteve të Namanit i cili gjuajti me kokë por u prit nga Bakaj, Hajdarit nga gjuajtja e lirë, i inkuadruari në pjesën e dytë Festim Alidema në minutën e 73-të realizoi për 1-2 dhe njëherit për fitoren e madhe të Llapit në Gjilan!

Pas javës së katërt, golashenuesit më të mirë të Llapit vazhdojnë të jenë Mentor Zhdrella e Ahmed Januzi me nga 3 gola, Fiton Hajdari me dy gola përderisa Festim Alidema ka gjetur golin e parë me fanellën e Llapit në ndeshje zyrtare.
Kronika:

11′ Dardan Jashari nis top të gjatë tek Arbnor Ramadani i cili ia vazhdon Shend Kelmendit e ky e gjen Fiton Hajdarin mirë të vendosur që me goditje precize kalon Llapin në epërsi 0-1
23′ Eglant Haxho pret gjuajtjen e Eri Lamçjës nga distanca

31′ Fiton Hajdari pasi lirohet dhe gjuan, Fidan Gërbeshi e devijon goditjen e tij

38′ Pas një hutie në mbrojtje, Llapi pëson golin e barazimit, ku paraprakisht nga një rivënie anësore, Viktor Kuka asiston për Haxhi Nezirajn i cili asiston për Bujar Shabanin ku me gjuajtje në këndin e majtë të Eglant Haxhos, barazon shifrat në 1-1

41′ Eglant Haxho ndal një goditje të fortë të Xhevdet Shabanit nga gjuajtja e lirë
55′ Hamdi Namani gjuan rrezikshëm me kokë por gjuajtjen e tij e ndali portieri i Dritës, Edvan Bakaj

73′ Kundërsulëm ‘vrasës’ i Llapit. Një top i nisur përpara e gjen Shend Kelmendin i cili pasi depërton shpejtë në zonën vendase e gjen të lirë Festim Alidemën i cili gjuan në këndin e majtë të Bakajt për 1-2
80′ Drita me tërë ekipin në sulm, ndërsa Fiton Hajdari nga gjuajtja e lirë dështon të realizoj golin e tretë

85′ Drita rrezikon seriozisht me Endrit Krasniqin i cili pasi depërton mirë brenda zonës llapjane, gjuan plogësht dhe rezultati mbetet i njëjtë.

Deklaruan:

Bekim Isufi, kryetrajner i Dritës: “Më nuk jam trajner i Dritës. E kam lajmëruar para dhjetë ditësh se kjo ishte ndeshja e fundit. Ndoshta keq se ndeshja e fundit ishte me humbje, por duhet një frymë e re te skuadra në mënyrë që t’i shijojë titujt e fituar. Unë edhe më parë e kam paralajmëruar dorëheqjen, por kryesia nuk ka pranuar, por tani më nuk ka kthim prapa”, deklaroi Isufi pas ndeshjes.
Bylbyl Sokoli, kryetrajner i Llapit: “Duhet ta analizojmë ndeshjen. Jam i kënaqur me tri pikë, por loja nuk është as për së afërmi çfarë mund ta bëjë Llapi. Kemi probleme me mbrojtjen kolektive. Pas golit të hershëm pati momente të vetëkënaqësisë. Në momentin kur e humbnim topin, ekipi ishte për çdo kritikë. Në minutat e fundit futbollistët tanë lejuan shumë Dritën afër portierit tonë, andaj unë do të kërkoj më shumë nga ta. Tri pikë i fituan këta djem me djersë, por duhet ende punë”, theksoi Sokoli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *