Java I: Llapi – Drenica 0-1

Llapi zhvilloi një pjesë të parë për tu harruar – dominimi dhe rastet e pjesës së dytë ishin totalisht të Llapit

Podujevë, 19 gusht 2018 – Çdo gjë ishte në nivel të përkryer. Duke filluar nga organizimi i ndeshjes, shikueshmëria që tejkalonte mbi 1500 të pranishëm, fotografia përkujtuese e ish Presidentit legjendar të FFK-së tashmë të ndjerë, Fadil Vokrri. Por të gjitha këto nuk mjaftuan që Llapi të befasohej nga Drenica, e cila fitoi në Podujevë për herë të parë pas rikthimit të Llapit në Superligë. Një gol në fundin e pjesës së parë vendosi ndeshjen, por Llapi kishte dominimin, rastet të cilat mbetën pa u shfrytëzuar dhe më e keqja humbja… Nuk ka çfarë të bëhet më shumë, vetëm që të kemi besim tek këta djelmosha, sepse ndoshta vetëm me përkrahje si sot do iu shpërblejmë me fitore dhe me rezultate pozitive në javët e ardhshme.

Sidoqoftë nuk ka vend për dëshpërim, duhet të harrohet sa më shpejtë kjo humbje dhe të ngritemi me kokën lartë për të vazhduar tutje.

Llapi ndeshjen e radhës e zhvillon në udhëtim tek Ballkani në fundjavë.

Java I

Llapi – Drenica 0-1 (0-1)

Golashenues: Armend Abazi 45+

Shikues: 1500

Stadiumi: “Zahir Pajaziti”

Gjyqtarë: Visar Kastrati, Granit Hyseni, Elvis Bicaj, Shpëtim Murtezi

Llapi: 13. Afrim Ademi – 4. Bujar Idrizi, 23. Ardian Hoti(18. Ilir Blakçori 46′), 14. Egzon Sinani, 8. Benjamin Emini – 16. Hamdi Namani /c/, 20. Behar Maliqi, 7. Mentor Zhdrella, 22. Shend Kelmendi(29. Ermal Krasniqi 46′), 11. Fiton Hajdari(97. Festim Alidema 85′), 27. Ahmed Januzi. Kryetrajner: Bylbyl Sokoli.

Drenica: Arion Ymeri – Azem Bejta, Besar Islamaj, Edon Pasoma, Arsen Sykaj – Arbios Thaçi, Diar Mustafa, Qemail Elshani – Kreshnik Uka, Osman Mëziu, Armend Abazi. Kryetrajner: Tahir Lushtaku.

Komenti:

Llapi e nisi takimin me posedim më të madh të topit, por pa arritur të krijonte ndonjë rast konkret. Veçohet rasti i kapitenit Namani ku gjuajti me kokë por priti Ymeri. Drenica me rastin e vetëm në pjesën e parë arriti të realizoj nëpërmjet Abazit. Në pjesën e dytë ashtu edhe siç pritej dominimi i Llapit edhe ndodhi. Posedimi i madh i topit, rastet e krijuara nga Zhdrella, Krasniqi, Januzi nuk e shmangën dot humbjen nga Drenica. Në fund përshëndetje miqësie nga dy taboret, që i uruan drenicasve fitoren dhe me llapjanët që u mbetet të punojnë për vazhdën e kampionatit.

Minutë pas minute:

3′ Mentor Zhdrella gjendet i vetëm pranë portierit Ymeri, por mesfushori llapjan humbet duelin me ‘gardianin’ drenicas që shpëton gol të sigurt.
30′ Dominim i skuadrës vendase që mundohet të sulmojë përmes anësorëve Kelmendi dhe Hajdari, por pa krijuar ndonjë rast të mirë shënimi.
44′ Kreshnik Uka (Dre) gjuan bukur brenda zonës, por topi shkon skaj pingules.

45+1′ Armend Abazi ka realizuar pasi shfrytëzoj hutinë e mbrojtësve tanë brenda zonës për ta dërguar topin drejt rrjetës për 0-1.

60′ Iniciativë e ekipit vendas në kërkim të barazimit të rezultatit, por pa krijuar ndonjë rast konkret për shënim.

75′ Harkon Idrizi, por Januzi me kokë mbi portë.

89′ Zhdrella gjuan bukur nga gjuajtja e lirë, gol të sigurt mohon portieri Ymeri

90+1′ Maliqi gjuan me kokë pas harkimit të Zhdrellës, por pranë portës.
Deklaruan:

Bylbyl Sokoli, kryetrajner i Llapit: “Duhet pranuar që ndeshja filloi keq për ne që nga pranimi i golit dhe më pas çdo gjë ishte një konfuzion. Mendoj që kemi problem në koncept të lojës, pasi që kërkojmë të luajmë më shpejtë dhe më rrjedhshëm. Ne ishim të rrezikshëm vetëm përmes ndërprerjes, ndërkohë gjatë lojës kishim probleme në ndërtimin e aksioneve. Megjithatë unë jam optimist për këtë skuadër dhe besoj shumë në këtë ekip. Ne duhet të përfitojmë nga këto gabime që bëmë sot në mënyrë që mos të na shfaqen në të ardhmen. Objektivi im sikurse në çdo klub edhe këtu është që të krijoj një lojë të mirë dhe në bazë të lojës së mirë edhe të vijnë rezultatet. Nuk duhet ti ngarkojmë futbollistët duke u kërkuar plasman sa më të lartë në renditjen tabelare, pasi që kjo shkakton ngarkesë psikologjike dhe ne duhet ti lirojmë ata nga ky presion. Unë vazhdoj të besoj te ky ekip dhe shumë shpejtë do të rikthehemi në lojën tonë”, deklaroi Sokoli pas ndeshjes.

Tahir Lushtaku, kryetrajner i Drenicës: “Jemi nisur nga Skenderaj që të zhvillojmë një ndeshje pa presion. Kam biseduar me futbollistët para lojës dhe gjatë pjesës së parë që të luajmë pa presion dhe të zhvillojmë lojën që dijmë të bëjmë ne. Llapi e dominoi pjesën e dytë, por jo të krijojë ndonjë rast të rrezikshëm. Realisht nuk kemi ndonjë objektiv të caktuar që na obligon të ndjekim ndonjë synim. Qëllimi i vetëm është të ndërtojmë një ekipe solide që nuk do e ketë problem mbijetesën dhe të jemi në mesin e artë të tabelës. Mundësitë tona do i provojmë në Kupën e Kosovës, pasi që futbollit nuk i dihet. Nuk kemi arritur të përforcohemi shumë si ekipet tjera, por do luftojmë për ta fituar secilën ndeshje”, deklaroi Lushtaku.

Fotografitë dhe raporti: Petrit Miftari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *