Java XXVII: Liria – Llapi 1-2

Me golat e Dakut e Zhdrellës, Llapi triumfon dhe ngjitet në pozitën e tretë

Prizren, 14 prill, 2018 – Llapi me meritë e ka mposhtur Lirinë vendase me rezultat minimal 1-2. Pas një pjese të parë të barabartë me pak raste shënimi, futbollistët e Llapit të dytën e nisën furishëm duke fituar penallti nga Daku i cili vetë e shndërroi në gol e më pas edhe dyfishoi epërsinë përmes eurogolit të Zhdrellës. Liria ka ngushtuar epërsinë përmes Zekës.

Llapi ndeshjen e mbylli me fitore, por edhe me dy futbollistë të përjashtuar me kartonë të kuq, së pari Benjamin Emini e më pas edhe Egzon Shabani, që të dy pas dy të verdhëve.

Java XVII:

Liria – Llapi 1-2 (0-0)

Golashenues: Zeka 77′ – Daku 64′(pen), Zhdrella 72′

Stadiumi: “Përparim Thaçi”, Prizren

Shikues: rreth 1000

Gjyqtarë: Genc Nuza, Driton Preniqi, Ali Peshteri, Ilir Mehmeti

Liria: 31. Edvan Bakaj – 21. Besart Islamaj, 17. Florent Avdyli, 5. Elton Basri, 4. Vigan Rexhaj – 27. Zenel Gavazaj, 7. Meriton Korenica, 20. Roni Gashi – 16. Artur Magani, 19. Arber Likaj, 14. Alush Gavazaj. Kryetrajner: Bledi Shkëmbi

Llapi(4-4-2): 12. Arben Beqiri – 5. Dardan Jashari, 14. Egzon Sinani(23. Leart Emini), 8. Benjamin Emini, 3. Leutrim Kadriu – 16. Hamdi Namani/c/(4. Egzon Shabani), 6. Kushtrim Shabani, 7. Mentor Zhdrella, 10. Edon Zeqiri – 9. Gentrit Begolli(45. Altin Merlaku), 19. Mirlind Daku. Kryetrajner: Tahir Batatina

Komenti:

Llapi sot luajti dukshëm më mirë se Liria. Përveç golave, Llapi kontrolloi mesfushën, krijoi raste dhe shijoi fitoren. Pjesa e parë u mbyll ashtu edhe siç nisi pa gola, ku veçohet rasti i Mentor Zhdrellës i cili në fund të pjesës së parë goditi fuqishëm nga gjuajtja e lirë por intervenoi Bakaj.

Në pjesën e dytë përpos dominimit Llapi krijoi edhe raste më të mira për gol. Sëpari me Edon Zeqirin i cili nuk arriti të konkretizoj në gol pasimin e bukur nga Mirlind Daku. Pastaj përsëri me Zhdrellën i cili i vetëm me Bakajn gjuan drejt portës por portieri devijon në korner. Dhe goli i parë erdhi në minutën 64′, pasi një minutë më herët Mirlind Daku u pengua në zonën e Lirisë dhe gjyqtari Nuza akordoi penallti të cilën e konkretizoi në gol Daku. Pas golit të shënuar Llapi e mori iniciativën dhe shtoi presionin para portës së Bakajt. Presioni solli rezultat për Llapin ku përmes Zhdrellës arriti edhe golin e dytë i cili gjuajti fuqishëm nga distanca dhe realizoj eurogol.

Liria me trysni kërkonte më pas golin të cilin e arriti nga Zeka. Por më pas tifozët e Lirisë po pengonin zhvillimin e ndeshjes dhe po gjuanin gjësende në drejtim të bankinës llapjane. Llapit në minutën e 89 iu përjashtua Benjamin Emini, pastaj rrugën e tij e ndoqi edhe ndihmëstrajneri Jeton Mehmeti pas protestave, dhe krejt në fund edhe Egzon Shabani pas ndërhyrjes në lojtarin e Lirisë.

Kronika:

45′ Mentor Zhdrella nga gjuajtja e lirë me super-goditje, por vjen pritja e portierit Bakaj, minuta e fundit e pjesës së parë, rasti i parë në ndeshje për Llapin.

55′ Mentor Zhdrella e nis topin për Mirlind Dakun i cili pason bukur për Edon Zeqirin i cili gjuan plogësht dhe shpërdoron një rast tejet të mirë për gol.

62′ Mundësia më e mirë në ndeshje për Llapin, Zhdrella i vetëm me portierin Bakaj, pret ky i fundit

63′ Penallti për Llapin, Daku pengohet në zonë nga Rroni Gashi dhe Nuza tregon në pikën e bardhë

64′ Mirlind Daku merr hov nuk e shikon fare topin dhe gjuan në këndin e majtë të portës së Bakajt dhe shënon për 0:1


69′ Rast ideal për barazim, por zëvendësuesi Tonguara nuk realizon nga afërsia

72′ Mjeshtri i mesfushës, Mentor Zhdrella depërton në zonën e Lirisë e shikon portën dhe pa u menduar dy herë gjuan në këndin e djathtë të Bakajt për 2-0, gol i mrekullueshëm.


77′ Mevlan Zeka ngushton epërsinë në 1-2 me golin e tij me kokë pas asistimit të Basriut

89′ Karton i kuq për Benjamin Eminin e Llapit pas dy të verdhëve.

90′ Përjashtohet edhe ndihmëstrajneri i Llapit, Jeton Mehmeti për shkak të protestave ndaj gjyqtarëve

90+4′ Karton i kuq edhe për Egzon Shabanin. Edhe ky pas dy të verdhëve

90+8′ Nuza e mbyll ndeshjen e tensionuar, me Llapin fitues dhe të pritur jo miqësisht nga publiku vendas, por fitore me shije të ëmbël dhe rikthim në pozitën e tretë në renditje.

Deklaruan:

Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit: “Duke e njohur Lirinë që ka shumë futbollistë cilësorë e me përvojë nga Shqipëria, ne u desh që të luajmë me një taktikë të lojës 4-4-2 e cila funksionoi dhe kështu iu hakmorëm Lirisë për humbjen që na kishte shkaktuar në Podujevë. Në pjesën e dytë hapa kartat duke u thënë futbollistëve se, ose t’i marrim tri pikë ose t’ia japin Lirisë. U mbrojtëm mirë dhe arritëm të fitojmë. Nga koha e Fadil Vokrrit e këndej nuk kam parë lojtar si Mirlind Daku që me vetëm 19 vjet të gjuajë penallti të tillë, është fantastike. Gjithashtu edhe Mentor Zhdrella, një futbollist që nuk ndalet për asnjë sekond së vrapuari. Duhet të mësojmë shumë nga ai. Do të shkojmë nga ndeshja në ndeshje, jemi të qetë dhe të shohim se çka do të dalë. Kemi ndeshje direkte me Dritën dhe Prishtinën. Presioni më nuk është te ne, pasi nuk jemi në vend të parë”, përfundoi Batatina.

Bledi Shkëmbi, kryetrajner i Lirisë: “Jam i kënaqur me dëshirën e lojtarëve në pjesën e parë. Ndoshta nuk ishte lojë e mirë e jona, por ashtu kishim planifikuar. Në këtë pjesë patëm dy raste të mira. Më shumë problem kemi rastet e humbura. Pastaj, në pjesën e dytë nuk më pëleqeu në disa momente ekipi që po shthurej. Pavarësisht dëshirës së madhe të gjithëve, ne nuk kemi skuadër për të dalë kampion. Kemi një ekip të mirë që luan futboll, por jo për titull, përfundoi Shkëmbi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *