Java XVII: Vëllaznimi – Llapi 0-3

Dy ndeshje – nëntë gola

Gjakovë, 25 nëntor, 2017 – Llapi ka mposhtur skuadrën e Vëllaznimit, ndeshje kjo e zhvilluar sot në stadiumin e qytetit në Gjakovë. Autorët e tre golave për Llapin ishin Mentor Zhdrella nga penaltia e fituar nga Mirlind Daku dhe dy të tjerë nga Florim Bërbatovci.

Me këtë fitore, Llapi ruan kryesimin me 33 pikë, ndërsa në fundjavë përballet me kampionin në fuqi të Kosovës, Trepçën ’89.

Java XVII:

Vëllaznimi – Llapi 0-3 (0-1)

Golashenues: Mentor Zhdrella 45′, Florim Bërbatovci 52′ e 93′

Gjyqtarë: Gramos Shala, Besnik Morina, Imran Kabashi, Arben Halilaj

Stadiumi i qytetit, Gjakovë

Vëllaznimi: 1. Alban Gecaj – 4. Tun Bardhoku, 5. Alban Dragusha, 6. Ilir Syla, 22. Samir Sahiti – 10. Albutrint Morina /c/, 18. Kushtrim Gashi, 7. Lorik Rudi – 27. Adenis Shala, 9. Dardan Rugova, 14. Semir Zeneli. Kryetrajner: Ismet Munishi

Llapi: 13. Afrim Ademi – 8. Benjamin Emini, 14. Egzon Sinani, 5. Dardan Jashari, 18. Ilir Blakçori – 6. Kushtrim Shabani, 10. Edon Zeqiri /c/, 7. Mentor Zhdrella – 11. Florim Bërbatovci, 9. Gentrit Begolli, 19. Mirlind Daku. Kryetrajner: Tahir Batatina

Komenti:

Sot, fitorja e Llapit përveç që ishte e merituar, ishte edhe e mençur. Që nga fillimi djelmoshat e Batatinës filluan ta atakonin portën e Gecajt, kur rast humbi Daku(pingulen) në minutën e 4-të. Ndërsa, në këtë pjesë lojë Llapi fitoi penallti ku portieri Gecaj ndërhyri në Dakun dhe gjyqtari nuk kishte tjetër veç të akordonte 11 metërsh në të mirë të Llapit. I pagabueshëm nga pika e bardhë ishte Zhdrella i cili dërgoi Llapin në pushim me epërsi, 0-1.

Pjesën e dytë më mirë e nisi Vëllaznimi, që kishte në posedim më shumë topin dhe po qëndronte më shumë në pjesëfushën llapjane. Por, Llapi edhe pse u përqendrua në mbrojtje, nga kundërsulmet arriti të shënoj edhe dy gola tjerë. Për 0-2 shënoi Bërbatovci pas harkimit nga Begolli, min 52.

Golin e tretë e shënoi prapë Bërbatovci, këtë herë nga gabimi i mbrojtjes së Vëllaznimit e ku përfitoi Blakçori i cili mjeshtërisht e pasoi për të ku nga afërsia me një prekje shënoi për 0-3

Minutë pas minute:

4′ Zhdrella harkon nga gjuajtja e lirë, krijohet rrëmujë tek porta gjakovare, ku nga afërsia Daku qëllon pingulen.

24′ Rudi godet traversën e ‘gardianit’ Ademi, i cili ishte me fat në këtë rast, pasi goditja e devijuar nuk arriti portën.

29′ Shala pasi lirohet nga mbrojtësit e Llapit, gjuan jashtë.

45′ Daku niset shpejtë. Portieri Gecaj e pengon atë, ndërsa akordohet penallti dhe nga 11 metra i pagabueshëm tregohet Zhdrella, për 0-1.

52′ Begolli harkon bukur dhe gjen Bërbatovcin i cili i lirë gjuan dhe shënon për epërsinë e merituar të Llapit, 0-2.

62′ Zeneli shpërdoron rast të volitshëm ku nga afërsia nuk dërgon topin në portë.

75′ Sahiti gjuan, por Ademi intervenon.

77′ Daku gjuan për mrekulli nga distanca, por vetëm pingulja. Hera e dytë në këtë ndeshje që ai godet pingulen.

85′ Bërbatovci i vetëm me portierin Gecaj humb rastin për gol, pasi nuk arrin të godas topin.

93′ Florim Berbatovci ka realizuar golin e tretë për skuadrën e Llapit, derisa ka shfrytëzuar në maksimum një pasim maestral nga Blakçori, 0-3.

Deklaruan:

Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit: “E falënderoj Vëllaznimin për mikpritjen vëllazërore, një skuadër që është rikthyer në Superligë dhe ka qenë hijeshia e Superligës, pasi që ka treguar ndeshje shumë të mira. Ne jemi përgatitur maksimalisht në të gjithë aspektet pasi që Vëllaznimi di të befasojë si vendas dhe të mund krejt. I kemi pasur edhe ne edhe Vëllaznimi rastet tona. Ne i shfrytëzuam ato. Në këtë ndeshje nuk kemi bërë lojë shumë të mirë për shikuesit por, tereni nuk na ka mundësuar. Mendoj se ishte fitore e merituar. Mendoj se kundërshtarët iu është dashur që të shkojnë në barnatore të blejnë hapa të qetësimit. Ne kemi skuadër të qetë dhe me përvojë. Synojmë që të shpallemi kampion. Shpresoj se në ndeshjen e ardhshme me Trepçën ’89 do të bëhen 5 mijë shikues në ‘Zahir Pajaziti’”, tha ndër të tjera Tahir Batatina.

Ismet Munishi, kryetrajner i Vëllaznimit: “Jemi shumë vonë me pagesa, jemi shumë vonë me shumë gjëra. Ne jemi duke vazhduar që të luftojmë, vazhdojnë që të sakrifikojmë cdo gjë për klub. Mendoj se mos-shënimi i golave vjen nga ngarkesa psikologjikë që vjen gjatë javës. Për ndeshje secili futbollist mendon vetëm për lojë. Ne vazhdojmë të luajmë edhe pa para që ta përfundojmë këtë sezon. Duhet të bëhet diçka sepse këta djem meritojnë të trajtohen mirë. Gjithë kjo luftë gjithë ky angazhim, më vjen shumë keq prej tyre sepse po sakrifikojnë shumë, ka thënë Ismet Munishi pas ndeshjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *