Java XII: Drenica – Llapi 1:2

Llapi fantastik, merr tre pikë dhe kryesimin e Superligës

Skënderaj, 25 tetor, 2017 – Skuadra e Llapit shkëlqeu në ndeshjen e sotme ndaj Drenicës, duke arritur fitore të madhe me rezultat 1-2. Sot, futbollistët e Llapit treguan angazhim, disiplinë, krijim të rasteve dhe më të rëndësishmen – fitoren. E gjithë skuadra sot ishte në nivel të detyrës, por i pandalshëm u tregua Mentor Zhdrella i cili pos harkimit fantastik te goli i Egzon Sinanit “shëtitej” me top në pjesë fushën e Drenicës pa asnjë problem. Por edhe dalja e gabuar e portierit, Flamur Neziri të Drenicës i shërbeu Mirlind Dakut i cili me kokë shënoi në portën e zbrazur.

Përndryshe, duhet përmendur edhe faktorin “baltë” që pengonte në zhvillimin e ndeshjes, por edhe tifozët të cilët fyen pa ndaluar në kor në drejtim të llapjanëve, e edhe sulmuan me shishe futbollistin tonë, Besnik Krasniqi në mbyllje të ndeshjes.

Llapi pas kësaj fitoreje i rikthehet pozitës së parë me një pikë më shumë se vendi i dytë, të cilin e mban Prishtina.

Java XII

Drenica – Llapi 1:2 (0:2)

Golashënues: Genc Hamiti 78′ – Egzon Sinani 9′ & Mirlind Daku 33′

Shikues: mbi 1000

Gjyqtarë: Besfort Kasumi, Fatmir Abrashi, Gzim Mehmeti, Selim Isufi

KV: Sh. Lushtaku, A. Thaçi – B. Krasniqi, M. Zhdrella, B. Emini

Drenica: 20. Flamur Neziri – 16. Azem Bejta, 17. Shkelzen Lushtaku, 14. Sami Geci /c/, 19. Adnan Haxhaj, 5. Visar Berisha, 6. Arbios Thaçi, 21. Taulant Dajaku, 18. Besfort Dervishaj, 7. Hysen Tahiri, 9. Genc Hamiti. Kryetrajner: Bekim Shotani

Llapi: 12. Arben Beqiri – 8. Benjamin Emini, 3. Leutrim Kadriu, 14. Egzon Sinani, 2. Besnik Krasniqi – 10. Edon Zeqiri /c/, 6. Kushtrim Shabani, 7. Mentor Zhdrella, 11. Florim Berbatovci, 9. Gentrit Begolli(17. Miran Maksuti – 23. Leart Emini), 19. Mirlind Daku(21. Ardian Gjata). Kryetrajner: Tahir Batatina

Komenti:

Llapi shënoi shumë shpejtë golin e parë pas harkimit brilant nga e majta të Zhdrellës i cili gjeti për mrekulli Sinanin i cili me kokë zhbllokoi shifrat, 0:1. Edhe më tej shihej lojë e hapur me raste nga të dya anët, kurse futbollistët e Llapit po e zhvillonin lojën më shpejtë. Kësisoji, pas gabimit të Gecit dhe daljes së vonuar të Nezirit nga porta, Daku me kokë dyfishoi rezultatin për 0:2. Pjesa e parë u mbyll me këto shifra ndërsa në pjesën e dytë, Drenica arriti të ngushtoj epërsinë, 1:2 ku realizoj Hamiti. Rastin më të mirë në këtë pjesë lojë e pati i inkuadruari Maksuti që depërtoi bukur por gjuajtjen e tij e priti Neziri. Në fundin e ndeshjes, Krasniqi duke filluar topin nga rivënia anësore goditet me shishe nga tifozët vendas të cilët gjatë tërë ndeshjes po bënin trysni mbi futbollistët e Llapit

Sidoqoftë, ishte kjo fitore e merituar, e ëmbël dhe njëfarë hakmarrje për humbjen e edicionit të kaluar në “Bajram Aliu” – 2:0, ku nga ajo ndeshje u dëmtuam rëndë nga gjyqtarët e takimit.

Ndërsa duhet theksuar, se përveç mungesës së kapitenit Namani dhe Blakqorit, mungoi edhe Jashari pasi pati probleme me gishtin e vogël në nxemje dhe nuk u fut as në protokoll.

Minutë pas minute

5′ Atmosferë fantastike në “Bajram Aliu”, por ndeshja është e qetë pa raste shënime.

9′ Gentrit Begolli ndalohet afër zonës drenicake. Për të harkuar afrohet maestro Mentor Zhdrella i cili e gjen kokën e Egzon Sinanit që nga afërsia zhbllokoi shifrat në të mirë të Llapit, 0:1.

16′ Mundësi e mirë për vendasit për ta barazuar rezultatin, por i shkurtër ishte Berisha.

18′ Rast ideal për Llapin për ta dyfishuar epërsinë, por Daku nuk shfrytëzon gabimin e Haxhajt.

33′ Kapiteni i Drenicës, Geci gabon para portës së tij, Daku me mjeshtëri gjuan me kokë në portë për të shënuar golin e dytë në ndeshje, 0:2. Këtu ndihmoi edhe dalja e gabuar e portierit Neziri.

35′ Bejta gjuan për mrekulli drejt portës, por pret ‘gardiani’ Beqiri, që debutoi sot me skuadrën e Llapit.

42′ Hamiti gjuan nga jashtë zonës, por devijon në fundore Beqiri.

44′ Tahiri provon goditjen nga ndërperja, por topi shkon mbi traversë.

50′ Dajaku provon i pari të rrezikojë portën e mysafirëve, por goditja e tij nga dënimi shkon mbi traversë.

70′ Dajaku gjuan nga largësia, Beqiri tregohet i vëmendshëm.

75′ Miran Maksuti i gjendur i vetëm me portierin Neziri gjuan drejt në duart e tij. Mundësi e cila nuk duhej të shpërdorohej!

77′ Aksion i përkryer i vendasve. Genc Hamiti realizon nga afërsia, për ta ngushtuar epërsinë, 1:2.

80′ Ndërpritet ndeshja për disa minuta. Tifozët vendas godasin me shishe plastike mbrojtësin e Llapit, Besnik Krasniqi.

90+4′ Gjuajtje e fuqishme nga Uka, intervenim fantastik nga Beqiri, i cili sot bëri paraqitje fenomenale sidomos në këtë rast, duke evituar golin dhe duke i siguruar skuadrës tre pikët e para në udhëtim.

Deklaruan:

Bekim Shotani, kryetrajner i Drenicës: “E dominuam ndeshjen, luajtëm mirë por problemi ishte aspekti teknik. Bëmë dy gabime, pësuam dy gola. Djemtë nuk u thyen psikologjikisht, patëm raste edhe për ta barazuar rezultatin në 2:2 por ky është futbolli, kur gabon, dënohesh. Dukagjin Gashi u inkuadrua në pjesën e dytë sepse nuk ishte i gatshëm fizikisht. Ai na dha ndihmë të madhe në pjesën e dytë. Dy ndeshjet e fundit, një pikë në Skenderaj është shumë pak, por mendoj që Llapi është pretendent për kampion, andaj ishte një rival shumë i fortë”, deklaroi Shotani pas ndeshjes.

Tahir Batatina, kryetrajner i Llapit: “E kemi ditur që na pret një ndeshje e vështirë sepse Drenica ka një skuadër të mirë. Kjo fitore erdhi në momentin më të mirë, që e bën skuadrën të kuptojë se ne mund të fitojmë edhe në udhëtim. Ta fitosh një lojë në Drenicë pa tre lojtarët kryesorë është një punë e madhe. Më vjen mirë që jemi përsëri në pozitën ku duhet të jemi. Besoj që prap do të mbetemi aty. Falënderoj Drenicën për mikpritjen. Tifozët e kanë punën e tyre, por Drenica na priti në mënyrë të mrekullueshme dhe i falënderoj shumë”, deklaroi Batatina pas ndeshjes.

Raporti: Petrit Miftari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *